Secondary Adv

Eurozonës i shtohet një tjetër shtet, Bullgaria nis me euron në 2026

Bullgaria do t'i bashkohet eurozonës në fillim të vitit të ardhshëm.

Pas disa vitesh pritje dhe sfida me inflacionin, Bullgaria ka marrë dritën jeshile nga Banka Qendrore Europiane (BQE) për t’u bërë anëtarja e 21-të e eurozonës, duke nisur nga 1 janari 2026. Vendimi përfundimtar pritet të merret nga ministrat e Financave të BE-së në korrik.

 

“Ky vlerësim pozitiv i konvergjencës hap rrugën që Bullgaria të prezantojë euron më 1 janar 2026 dhe të bëhet shteti i 21-të anëtar i BE-së që i bashkohet zonës euro,” tha në një deklaratë kryeekonomisti i BQE-së, Philip Lane.

 

Vendimi përfundimtar i takon ministrave të Financave të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta miratojnë këtë hap në fillim të korrikut.

 

Pas përfundimit të procesit politik, përfaqësuesit e bankës qendrore bullgare do të ftohen të marrin pjesë si vëzhgues në strukturat e BQE-së, përfshirë Këshillin Drejtues që përcakton normat e interesit, deri në anëtarësimin zyrtar.

 

Bullgaria ka vite që përpiqet t’i bashkohet monedhës së përbashkët, por data e anëtarësimit është shtyrë disa herë, kryesisht për shkak të mosplotësimit të disa kritereve të rëndësishme, veçanërisht atij të inflacionit.

 

Këtë herë, vendi arriti të plotësojë kriterin për inflacionin, me një normë 12-mujore prej 2.7% në prill, pak më poshtë se vlera e referencës prej 2.8%.

 

Megjithatë, inflacioni pritet të përshpejtohet në vitin 2025, me një mesatare vjetore prej 3.6%, por Komisioni Europian parashikon që ai të rikthehet nën 2% në vitin 2026.

 

/Monitor (https://monitor.al/eurozones-i-shtohet-nje-tjeter-bullgaria-nis-me-euron-ne-2026/)


Më të lexuarat